Inxhinieri Beqaj: KLSH merret me afatet e punimeve, por jo me cilësinë e rrugëve apo projekteve! Gërryerja e shtratit të lumenjve po shkatërron urat

Gëzim Beqaj, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare e Inxhinierëve Konsulentë ka folur mbi problematikën e shembjes së rrugëve dhe urave për shkak të përmbytjeve të ditëve të fundit. Në një intervistë për Report Tv, me gazetarin Besard Jacaj tha se këto gjëra ndodhin pasi në Shqipëri janë prishur institucionet dhe nuk mbahet më asnjë përgjegjësi për dëmin që bëhet. Inxhinieri Beqaj shprehet se dy janë  problematikat madhore, mungesa e Institucionit të Ndërtimit dhe Urdhrit Inxhinierik, që sjell dhe shmangien e përgjegjësisë dhe mosmbajtjes së fajit për prishjen e rrugëve apo urave.

“Vitet e fundit kemi punë shumë të mira, por natyra bën të sajën.  Ne në Shqipëri kemi prishur institucionet. Këto punë nuk zgjidhen me administratë publike por me institucione, ne na mungojnë institutet e ndërtimit. Ajo që kemi sot ka vetëm emrin, por nuk kryen asnjë funksion të Institutit të Ndërtimit. Instituti duhet të kryej rolin e udhëheqësit të shkencës. janë dy gjëra që kanë vite që mungojnë në Shqipëri, instituti i ndërtimit dhe urdhri inxhinierik dhe fajin e ka politika se ata e menaxhojnë”, tha inxhinieri Beqaj.

Inxhinieri tha se mungesa e disiplinës sot ka sjellë këtë kaos në projektet inxhinierike. Ai tha se edhe pse materialet janë shumë më të mira se para viteve 90, sot mungon kontrolli nga institucionet. Ai kritikoi edhe Kontrollin e Lartë të Shtetit duke thënë se në vend që të merret me cilësinë e ndërtimit, kapet me respektimin e afateve. Në lidhje me shembjen e urave ai tha se problemi kryesor vjen nga gërryerja e shtratit të lumenjve që ndryshon rrjedhën e ujit që zbulon këmbët e urës duke çuar më pas në shkatërrimin e tyre si dhe mungesa e mirëmbajtjes në kohë.  

“KLSH më shumë merret afati i punimeve sa është respektuar se sa cilësinë  e projektit. Janë dy momente  para 1990 dhe pas 1990. Pas 90 edhe pse nuk kishim këto materiale të mira por kishim shumë disiplinë ku çdo ndërmarrje kishte laboratorin dhe kontrollet  e veta. Ne sot i kemi shkatërruar të gjitha këto, kemi më shumë kualitet e cilësi në materiale por mungon kontrolli dhe disiplina dhe inxhinieri sot nuk mban më përgjegjësi për punën e bërë. Në lidhje me shembjet e urave unë e shikoj problemin  tek mirëmbajtja  dhe gërryesja e shtrati të lumenjve duke ndryshuar të gjithë rrjedhjen e ujit. E gjitha kjo më pas zbulon themelet e këmbës së urës dhe më pas rrëzimin e tyre. Pra kjo vjen nga keqtrajtimi i shtratit të lumenjve ‘, tha Beqaj.

Scroll to Top