''Nuk është faji i tërmetit'', inxhinieri Beqaj nxjerr në pah mangësitë e ndërtimeve në Shqipëri"

Gëzim Beqaj, inxhinier ndërtimi, në një intervistë për Euronews Albania ishte i mendimit se problemi kryesor që kanë ndërtimet në Shqipëri është disiplina inxhinierike, pavarësisht se tërmeti ishte shumë i fortë.

Ai tregoi se ndërtimet e reja nuk kanë pësuar dëme serioze nga tërmeti, gjë që tregon se cilësia e ndërtimeve nuk ka qenë problem.

Si mosveprim i shtetit në kohën e vet një pjesë e mirë e banesave janë amortizuar dhe për shkak të mungesës së mirëmbajtjes në banesat e vjetra, ka pasur dhe dëme shumë të mëdha nga tërmeti, ndërkohë që sa i takon banesave të reja inxhinieri ishte i mendimit se nuk ka pasur dëme që lidhen me mos respektimin e standardeve të ndërtimit.

“Inxhineria adoptoi me dëshirë dhe iniciativë eurokodet (jo me detyrim ligjor) dhe kjo është për tu përshëndetur. Nga ana tjetër është përgjegjësi e politikës shqiptare, e qeverisë shqiptare që të marrin masa të menjëhershme. Deri tani në dijeninë time kanë dalë udhëzime apo akte nënligjore por nuk mjafton me kaq,” – u shpreh inxhinieri.

Sipas tij qeveria nuk duhet ta mbajë fokusin vetëm te vendosja e standarteve por dhe tek mënyra se si zhvillohet ndërtimi për të mbikëqyrur se çfarë ka ndodhur gjatë zbatimit dhe marrjes në dorëzim të një projekti.

Të japësh një shërbim inxhinierik me etikë profesionale, kjo është ajo që synohet nëpërmjet disiplinës, që siç sqaroi dhe inxhinieri Beqaj në vendin tonë mungon.

Ai tha se që nga vitit 2009 qeveria shqiptare është në moszbatim të një ligji që quhet “Ligji mbi profesionet e rregulluara”, gjë që nënkupton se qeveria shqiptare ka qenë e detyruar të krijojë “Urdhrin e inxhinierit” dhe nuk e ka bërë.

Është pikërisht ky urdhër, siç sqaroi Gëzim Beqaj, që ndikon në formimin dhe në ndëshkimin e inxhinierëve të ndërtimit dhe rrjedhimisht sjell përgjegjësinë e plotë në ndërtime.  

Scroll to Top