Si po ndërtohet pas tërmetit? Ekspertët përgjigjen në “A2 Business Week”

Tërmeti i një viti më parë la pas një bilanc tragjik, me 51 viktima e 913 plagosur. Të shumta ishin dëmet edhe në ndërtime. Mbi 11 mijë ndërtesa u shkatërruan apo u dëmtuan rëndë, rreth 83 mijë të tjera u dëmtuan lehtë. U prekën gjithashtu biznese, shkolla, qendra shëndetësore, madje edhe objekte dhe hapësira të trashëgimisë kulturore.

Tërmeti i 26 nëntorit na bëri më të ndërgjegjshëm se kurrë për cilësinë e banesave ku jetojmë dhe çfarë duhet të kemi parasysh kur blejmë një shtëpi. Nga ana tjetër, një vit më parë, qeveria deklaroi publikisht se do të merrte masa për të kontrolluar dhe disiplinuar tregun e ndërtimit për sa i përket cilësisë. Çfarë ndryshoi pas tërmetit? A jemi më të sigurt?

Artur Roshi, inxhinier ndërtimi dhe ish-drejtor i Institutit të Ndërtimit, tha për “A2 Business Week” se sot po ndërtohet “me të njëjtat standarde që kemi pasur”.

“Nuk ka ndryshime, ne shqiptarët harrojmë të merremi me gjërat pasi këto gjëra ndodhin. Duhet një komision i posaçëm ndërtimi. Nëse sot themi që ka nisur procesi i rindërtimit, lind pyetja: me çfarë ideohen këto projekte? Me çfarë kushtesh teknike? Unë them që kushtet teknike të projektimit lënë shumë hapësira dhe nuk gjejmë dot përgjegjësit nëse ndodh një tjetër tërmet. Ne nuk kemi reflektuar, thjesht jemi në rutinën e rindërtimit. Po ndërtojmë me të njëjtat standarde që kemi pasur”, u shpreh Roshi.

Sipas Gëzim Beqajt, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë, “shteti u kap i papërgatitur nga situata”.

“Çdo vend perëndimor i ka të ngritura strukturat që reagojnë në raste tërmeti. Ne nuk kishim as protokollet se si bëhej verifikimi dhe ekspertizat përkatëse. Ato u përshtatën gjatë rrugës. Nga tërmetet, ne konstatuam se rreth 80% e problematikave i përkasin disiplinës teknike dhe etikës profesionale në inxhinieri. Kjo u duk qartë te ndërtimet që u rrafshuan, pasi aty nuk janë zbatuar rregullat e ndërtimit. Mbikëqyrjen duhet ta marrë përsipër enti apo bashkia që do të marrë veprën si rezultat final”, theksoi Beqaj.

Ndërsa, Luan Myrtaj, inxhinier ndërtimi dhe pedagog në Fakultetin e Ndërtimit, nënvizoi se “ndërtesat që u shkatërruan ishin ndërtesat ku ishte ndërhyrë. Ndërsa ndërtesat me defekte në projektim dhe zbatimin e ndërtimit, patën defekte”.

Erion Softa, inxhinier ndërtimi dhe ish-drejtor i Përgjithshëm i INUK, u shpreh se “shteti ka bërë shumë pak, për të mos thënë aspak, për ndërtimin e institucioneve që do të bëjnë garantimin e objekteve të reja që do të ndërtohen”.

“Falë mediave kujtohen pasojat e tërmetit, pasi shumëkush e ka harruar atë situatë. Shteti ka bërë shumë pak, për të mos thënë aspak për ndërtimin e institucioneve që do të bëjnë garantimin e objekteve të reja që do të ndërtohen. Ne nuk kemi institucione të specializuara për këto fatkeqësi natyrore. Shteti këtë barrë në kurriz ia vuri Institutit të Ndërtimit, por ky institut nuk ka as pajisjet dhe as burimet e duhura për të administruar këtë proces. Pas një viti, kemi të njëjtën situatë: nuk u ndërtua asnjë institucion kontrolli dhe garantimi”, tha Softa.

Sipas tij, “duhet një mbikëqyrje reale dhe e pavarur e objekteve” të reja që ndërtohen”.

“Pa këtë, nuk mund të kemi objekte më të mira. Këtë duhet ta bëjë ose shteti ose një institucion i mirëfilltë kontrolli”, deklaroi Softa.

Scroll to Top