Urdhri i Inxhinierëve, pse i duhet Shqipërisë?

Shqipëria është një ndër vendet e pakta që nuk ka një urdhër për profesionin e inxhinierit. Përpjekjet për të ngritur një urdhër të tillë, të rregulluar me një ligj të posaçëm po bëhen tashmë prej disa vitesh.

Shoqata shqiptare e Inxhinierëve konsulentë ka nënshkruar në vitin 2017 një marrëveshje me Ministrinë e Transporteve, tashmë Ministria e Infrastrukturës. Kjo shoqatë ngriti grupin e punës për hartimin e ligjit që do të mundësonte urdhrin. Paralelisht, ajo nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Urdhrin Italian të Inxhinierëve, për të marrë asistencë prej tyre. I njëjti bashkëpunim u vendos edhe me shoqatën e inxhinierëve të Holandës. Për hartimin e një ligji sa më të plotë, u mor mendimi i ekspertëve dhe akademikëve shqiptarë.

Në tetor të 2018-ës, draft ligji i dakordësuar edhe me 10 shoqata të tjera të inxhinierëve dhe i certifikuar nga Urdhri Italian dhe shoqata holandeze iu dërgua qeverisë. Kjo e fundit ngriti grupin e punës, për të shqyrtuar draftin e sjellë nga inxhinierët dhe për të mundësuar kështu Urdhrin e Inxhinierëve.

Pse është i nevojshëm ky urdhër për Shqipërinë? Cilat janë përfitimet e qytetarëve dhe ekonomisë? Për këtë temë u diskutua këtë të mërkurë në A2 Business Week, ku të ftuar ishin Farruk Kaba, president i Shoqatës së Inxhinierëve dhe Gëzim Beqaj, sekretar i Shoqatës së Inxhinierëve.

“Kjo është një praktikë, një eksperiencë që e kanë të gjitha vendet e botës. Organizimi i bizneseve është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për bizneset, por edhe për qeverinë. Në Shqipërinë ekzistojnë disa urdhra, ndërsa inxhinieria, e cila është në thelbin e ndërtimeve, e të gjitha aktiviteteve industriale, ende nuk e ka një urdhër. Tentativat janë bërë që në vitin 2007, kur u përgatitën të gjitha dokumentet, por dështoi. Ky urdhër është i nevojshëm për të mirën e ekonomisë. Urdhri, jo vetëm certifikon inxhinierët, sipas kritereve, por ai i merr edhe në njëfarë provimi për t’i “kolauduar”. Në Konferencën e Mileniumit, në vitin 2000, është thënë: Inxhinieria dhe inxhinierët janë gjeneratorët e shoqërisë njerëzore”, u shpreh Farruk Kaba, president i Shoqatës së Inxhinierëve.